Bashkitë shpenzuan 24 për qind të buxhetit vetëm në 2 muajt e fundit të vitit 2025
Gati një e katërta e shpenzimeve vendore u realizua në dy muajt e fundit të vitit, duke ngritur pikëpyetje për planifikimin dhe eficiencën e fondeve publike.

Bashkitë e vendit e mbyllën vitin 2025 me një rritje të ndjeshme të shpenzimeve krahasuar me një vit më parë, por ritmi i realizimit të tyre ka nxjerrë në pah problematika që lidhen me planifikimin dhe shpërndarjen e fondeve gjatë vitit fiskal.
Sipas Raportit Vjetor 2025 për Financat Publike Vendore, pushteti vendor realizoi rreth 87.8 miliardë lekë shpenzime gjatë vitit, ose afërsisht 97 për qind të planit vjetor. Krahasuar me vitin 2024, shpenzimet u rritën me 13.4 miliardë lekë, ose 17.9 për qind, ndërsa në raport me planifikimin fillestar mbetën pa u shpenzuar rreth 3.1 miliardë lekë.
Pothuajse një e katërta e buxhetit u shpenzua në dy muaj
Megjithëse realizimi i përgjithshëm i buxhetit rezulton i lartë, raporti evidenton një përqendrim të fortë të shpenzimeve në fund të vitit. Vetëm gjatë muajve nëntor dhe dhjetor 2025, bashkitë realizuan rreth 21.4 miliardë lekë shpenzime, që përfaqësojnë 24.4 për qind të totalit vjetor.
Kjo do të thotë se pothuajse një e katërta e fondeve të pushtetit vendor u përdor në një periudhë shumë të shkurtër kohore, duke ngritur shqetësime për cilësinë e planifikimit dhe efikasitetin e përdorimit të burimeve publike.
Pesha më e madhe i takon muajit dhjetor. Sipas raportit, vetëm gjatë muajit të fundit të vitit u realizuan rreth 14.4 miliardë lekë shpenzime, ose 16.4 për qind e totalit vjetor. Praktikisht, gati një e gjashta e gjithë buxhetit vendor u ekzekutua vetëm në dhjetor.
Rrezik për cilësinë e investimeve dhe shërbimeve
Përqendrimi i shpenzimeve në fund të vitit konsiderohet një tregues që mund të ndikojë në cilësinë e zbatimit të projekteve dhe në efektivitetin e përdorimit të fondeve publike. Kur fondet përdoren me intensitet të lartë pranë mbylljes së vitit fiskal, rritet rreziku që projektet të mos ndjekin një ritëm të qëndrueshëm gjatë vitit dhe vendimmarrja të kushtëzohet nga nevoja për të realizuar fondet e planifikuara.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për pushtetin vendor, pasi shpenzimet lidhen drejtpërdrejt me shërbimet që marrin qytetarët, duke përfshirë infrastrukturën lokale, pastrimin, mirëmbajtjen e hapësirave publike, arsimin, shërbimet sociale dhe funksionet administrative.
Rritje për arsimin dhe mbrojtjen sociale
Struktura e shpenzimeve tregon se pjesa më e madhe e buxhetit vendor u orientua drejt funksioneve “Çështje ekonomike” dhe “Shërbime të përgjithshme publike”, të cilat përbënin përkatësisht 23.3 për qind dhe rreth 20 për qind të totalit të shpenzimeve.
Rritjen më të fortë gjatë vitit 2025 e regjistroi funksioni i “Mbrojtjes Sociale”, me 27 për qind më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm. Edhe sektori i arsimit shënoi rritje të konsiderueshme prej rreth 22 për qind. Ndërkohë, i vetmi funksion që regjistroi rënie ishte “Argëtim, Kultura dhe Feja”, me rreth 7 për qind më pak shpenzime.
Himara dhe Divjaka me rritjen më të madhe të shpenzimeve
Në nivel bashkish, raporti evidenton se vetëm Bashkia Tropojë regjistroi rënie të shpenzimeve gjatë vitit 2025, me rreth 6 për qind krahasuar me një vit më parë.
Nga ana tjetër, rritjet më të forta u regjistruan në Bashkinë Himarë, ku shpenzimet u rritën me 133 për qind, dhe në Bashkinë Divjakë, me një rritje prej 53 për qind.
Buxheti vendor zgjeroi peshën në ekonomi
Viti 2025 shënoi gjithashtu një zgjerim të rolit financiar të pushtetit vendor në ekonomi. Shpenzimet e bashkive arritën në 3.32 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe në 10.95 për qind të totalit të shpenzimeve publike.
Krahasuar me vitin 2024, pesha e buxhetit vendor u rrit me 0.74 pikë përqindje ndaj totalit të shpenzimeve publike dhe me 0.37 pikë përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke reflektuar zgjerimin e rolit të financave vendore në administrimin e fondeve publike.
Burimi: Ekofin
Më të lexuarat






k.jpg)